Diaspora, shtyllë ekonomike e Kosovës: Kapitali fitohet jashtë, zhvillimi ndërtohet brenda

 

Nga Avdyl Kastrati

Si ekonomist, vlerësoj se roli i diasporës duhet të trajtohet mbi bazën e treguesve realë ekonomikë dhe jo mbi perceptime të pjesshme apo diskurse emocionale.

Të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës dëshmojnë qartë peshën e saj në zhvillimin ekonomik të vendit: remitencat vjetore tejkalojnë 1.3 miliardë euro, duke përbërë rreth 15–17% të Bruto Produktit Vendor (BPV), që është treguesi kryesor i krijimit të vlerës ekonomike në Kosovë.

Nga këndvështrimi makroekonomik, remitencat kanë rol kyç në rritjen e kërkesës agregate, nxitjen e konsumit dhe gjenerimin e qarkullimit ekonomik.

Ky qarkullim përkthehet drejtpërdrejt në të hyra buxhetore përmes Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), zgjerimit të bazës tatimore dhe forcimit të stabilitetit fiskal të vendit.

Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të diasporës investohet në ndërtime dhe projekte kapitale private, duke rritur stokun e kapitalit, duke hapur vende të reja pune dhe duke ndikuar pozitivisht në rritjen e Bruto Produktit Vendor në afat të mesëm dhe të gjatë.

Këto investime nuk janë vetëm konsumuese, por kontribuojnë drejtpërdrejt në strukturën prodhuese të ekonomisë.

Në këtë kontekst, diaspora nuk duhet parë vetëm si burim remitencash, por si aktor i rëndësishëm ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo punon dhe gjeneron kapital jashtë vendit, por investimet dhe ndërtimet i realizon në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë reale të saj.

Paralelisht me kontributin ekonomik, e drejta e votës për qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë diasporën, është e garantuar me Kushtetutë.

Kjo e drejtë buron nga shtetësia dhe lidhja juridike me shtetin, e jo nga vendbanimi aktual.

Për këtë arsye, kontributi ekonomik dhe përfaqësimi demokratik janë të pandashëm.

Diaspora punon jashtë, por kapitalin, investimet dhe besimin në të ardhmen i sjell në Kosovë,  duke qenë një nga shtyllat kryesore të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

(Autori është ekonomist I diplomuar dhe auditor I licencuar)

 

Shpërndaj me të tjerët