Dita e Pavarësisë – 28 Nëntori 1912, Dita e Flamurit dhe Dita e Shqiptarëve

 

Data e 28 Nëntorit 1912 është dita më e rëndësishme në jetën politike të gjithë shqiptarëve anë e mbanë të botës.

Kjo ditë jo vetëm për shqiptarët e shtetit shqiptar,  por edhe për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi e Luginës së Preshevës e Çamërisë ka vlerë të madhe patriotike, politike e emocionale pasi shqiptarët të të gjitha këtyre trevave punuan e dhanë kontributin e tyre edhe me gjakun e derdhur si dhe aktivitete intelektuale  e kontribute politike e materiale.    

Ideja për një shtet kombëtar ishte e kahershme e cila ishte prezente te iluministët shqiptar e sidomos te rilindësit shqiptar të cilët krijuan identitetin kombëtar shqiptar përmes gjuhës, historisë, traditës e kulturës shqiptare.  

Kjo ide e shtetit kombëtar shqiptar u tentua të realizohej që në vitin 1878- Lidhja e Prizrenit, por rrethanat e krijuara nuk lejuan përkundër luftërave të forcave të Lidhjes.

Puna dhe përpjekjet do të vazhdojnë pareshtur nga intelektualët shqiptar, në këtë funksion është edhe Kongresi i Manastirit-Alfabetit të gjuhës shqipe më 1908,  e edhe kryengritjet e armatosura deri te Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912, kur Perandoria Osmane u detyrua të tërhiqej nga trojet shqiptare, u krijuan kushtet,  megjithëse në rrethana të vështira, për shkak të pushtimeve serbo-malazeze të tokave shqiptare.

Nën udhëheqjen e Ismail Qemajlit u organizua Kuvendi i Vlorës, ku 40 delegatë  nga gjitha viset shqiptare vendosën që Shqipëria të shpallej Shtet i Pavarur dhe të formohej Qeveria e përkohshme në krye me Ismail Qemajlin.    

Krijimi i shtetit kombëtar dhe të pavarur pati një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët nën pushtetin serbosllav edhe pse nuk u arrit përfshirja e gjitha trevave shqiptare, kjo pavarësi mbajti gjallë idenë e bashkimit të tokave që mbetën jashtë shtetit shqiptar për të cilin vazhduan të punojnë me të gjitha forcat intelektual e ushtarak.

Në funksion të kësaj ideje janë edhe ngjarjet,   nga lëvizjet kaçake në Kosovë, kryengritjet, ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja e NDSh- së, demonstratat e vitit  1968, 1981, ato të viteve të 90-ta e deri te lufta e UÇK-së 1998 e1999,  përfundimisht  në çlirimin e Kosovës si dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 2008.    

Data 28 NËNTORI ka domethënie shumë të madhe për gjithë shqiptarët kudo që janë,  sepse me këtë  datë : 

28 nëntor 1443 Skënderbeu ngriti Flamurin  në Krujë.                             

28 Nëntor 1912 Ismajl Qemajli ngriti të njëjtin flamur në Vlorë.                

28 nëntor 1955 u lind heroi dhe komandanti I UÇK-së,  Adem Jashari          

28 Nëntor 1997 UÇK-ja u paraqit për herë  të parë si entitet për lirinë e Kosovës.                 

Urime dita e 28 Nëntorit – Dita e Pavarësisë, Dita e Flamurit, Dita e Shqiptarëve.

Shkroi: Emin Selimi, profesor i historisë

Koincidencë: autori i këtij shkrimi, pikërisht më 28 nëntor 1979, ka mbrojtur temën e diplomës “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, në Fakultetin Filozofik – dega Histori në Prishtinë, para profesoreshës Emine Bakalli.
Jo rastësisht kjo mbrojtje e temës është bërë pikërisht në këtë datë.

 

Shpërndaj me të tjerët