Një engjëll që zgjodhi jetën e vajzës së saj
Sot janë bërë 6 vite pa Arditën tonë të dashur, vajzën e vetme, nënën, bashkëshorten dhe motrën e artë, që u nda nga jeta më 19 shtator në Budapest, gjatë lindjes.
Ajo zgjodhi të jetonte vajza e saj Greta, e cila sot mbush 6 vjet, ndërsa vetë u bë engjëll në qiell.
Dhimbja e familjes që nuk shuhet kurrë
Familja e kujton me zemër të thyer:
“Ardita jonë, jeta pa ty është shumë e vështirë. Dhembja është e madhe, mall e lot pa fund. Ishe vajza e vetme jonë, e dashur, e edukuar, e urtë, e ëmbël. Na e zbukurove jetën me buzëqeshjen dhe mirësinë tënde. Sot na mungon në çdo frymë.”
Një gazetare e jashtëzakonshme
Ardita Sylejmani Bllaca do të mbetet përgjithmonë shembulli i një gruaje të fortë, një nënë e përkushtuar dhe një gazetare e jashtëzakonshme.
Raportet, lajmet, kronikat, intervistat e saj nuk janë thjesht kujtime profesionale, por zëra që do të mbesin përjetësisht të gjallë në mendjen dhe zemrat e atyre që e njohën.
Zëri dhe fjala e saj do të jetojnë gjithmonë, ashtu si kujtimi i saj.
Drita që nuk shuhet kurrë
Për më të dashurit e saj, për mamin e babin, tre vëllezërit, familjen më të ngushtë, bashkëshortin, djalin Nartin, vajzën Lizën dhe Gretën e vogël, Ardita do të jetë gjithmonë drita që nuk shuhet kurrë, zemra që rreh në kujtimet tona dhe buzëqeshja që mungon çdo ditë.
Dita që mbetet përgjithmonë
Dhe pikërisht nga kjo dashuri, kjo kujtesë dhe ky mall i pashuar, sot edhe portali dita24h.com, i cili vepron tash e mbi dy muaj, ka marrë emrin nga shkurtesa e Arditës – Dita, ashtu siç e kanë thirrur të gjithë.
Ky emër nuk është thjesht një titull, por një simbol krenarie dhe përjetësie.
Me këtë emër, portali mban gjallë kujtimin e saj, si një dritë që ndriçon çdo ditë, një kujtesë e përhershme se Ardita jeton mes nesh.