Mirlind Daku, sulmuesi nga Gjilani që po bën emër të madh në futbollin rus, ka vendosur të qëndrojë besnik ndaj klubit që e bëri figurë qendrore: Rubin Kazan. Ai ka rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2029, duke konfirmuar kështu vazhdimësinë e tij në një prej klubeve më ambicioze të Rusisë.
Megjithëse shumë afër kalimit te Zeniti, një nga gjigantët e futbollit rus, Daku në fund zgjodhi të qëndrojë aty ku ndikimi i tij në fushë ka qenë thelbësor. Vendimi erdhi pas një periudhe negociatash intensive, ku Rubin Kazan i plotësoi kërkesat financiare dhe i ofroi një rol të rëndësishëm në skuadër.
Rinovimi u zyrtarizua në mënyrë origjinale, përmes një videoje të frymëzuar nga seriali i famshëm “Squid Game”. Në të, Daku përballet me dy letra me ngjyra – të kuqen dhe të kaltërtën – dhe pa hezitim zgjedh të kuqen, që përfaqëson ngjyrat e Rubinit, duke refuzuar kështu ofertën simbolike të Zenitit.
Ky veprim simbolik jo vetëm që e konfirmon besimin e Dakut te klubi aktual, por edhe përcjell një mesazh të qartë: lojaliteti dhe besimi i ndërsjellë janë më të forta se çdo ofertë tjetër. Klubi rus e ka konsideruar rinovimin një “goditje strategjike” për të forcuar skuadrën për sezonet e ardhshme.
Daku, që është pjesë e Kombëtares shqiptare dhe më parë ka luajtur për klube si Ballkani, Osijek dhe Partizani, po shfaqet si një nga figurat më premtuese në sulmin shqiptar dhe ndër më të vlerësuarit në kampionatin rus.