Kampionët e Kosovës, Drita e Gjilanit, kanë bërë një paraqitje dinjitoze në përballjen e parë ndaj gjigantit danez, Kopenhagës, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve, megjithatë ndeshja u mbyll me rezultat 2-0 në favor të vendasve.
Skuadra daneze, e drejtuar nga trajneri Jacob Nestrup, arriti të zhbllokojë rezultatin vetëm pas 69 minutash rezistencë të fortë të Dritës, përmes një penalltie që u realizua nga Magnus Mattson. I njëjti lojtar shënoi edhe golin e dytë, sërish nga pika e bardhë, në minutën e 76-të.
Pavarësisht humbjes, Drita dha sinjale pozitive, duke përballuar për pjesën më të madhe të ndeshjes një skuadër shumë më të fortë në letër dhe me përvojë të madhe ndërkombëtare.
Dueli i kthimit do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Drita do të kërkojë një mrekulli për të kaluar tutje.