Drita debuton me fitore dramatike ndaj Pejës në Superligë

 

Skuadra e volejbollit Drita ka nisur me fitore sezonin e ri në Raiffeisen Superligën A (Meshkujt), duke triumfuar pas një dueli dramatik ndaj Pejës me rezultat 3:2 në sete.

Setet përfunduan: 16:25, 25:21, 19:25, 25:20, 15:11.

Takimi nisi më mirë për mysafirët nga Peja, që fituan bindshëm setin e parë 25:16, duke shfaqur siguri në lojë. Megjithatë, Drita reagoi shpejt dhe e barazoi rezultatin në 1:1, duke e fituar setin e dytë 25:21.

Në setin e tretë Peja rimori avantazhin (25:19), por gjilanasit nuk u dorëzuan dhe me një ritëm më të lartë fituan setin e katërt 25:20, duke e çuar ndeshjen në tie-break.

Në setin vendimtar, Drita u tregua më e fortë psikologjikisht dhe e mbylli ndeshjen me fitore 15:11, për një start të shkëlqyer në kampionat.

Ky sukses e konfirmon skuadrën gjilanase si një prej pretendenteve serioze në këtë edicion të Superligës së volejbollit.

 

Shpërndaj me të tjerët