Drita dhe përballja me La Ligën, tregues i qartë i ngritjes së futbollit kosovar

 

Drita dhe përballja me La Ligën, tregues i qartë i ngritjes së futbollit kosovar

Paraqitja e skuadrës kampione të Kosovës, FC Drita, në përballjen me Rayo Vallecanon në Madrid, përtej rezultatit përfundimtar, përbën një tregues domethënës të rritjes së futbollit kosovar në aspektin cilësor, organizativ dhe përfaqësues në arenën evropiane.

Edhe pse Drita u mposht nga një ekip i La Ligës spanjolle, një prej kampionateve më të forta në Evropë, ky takim nuk e zbeh aspak faktin se klubi gjilanas ka arritur një sukses të madh, duke u kualifikuar në play-offin e Conference League, një arritje historike për klubin dhe për futbollin e Kosovës.

Ndeshja nxori në pah edhe një element simbolik me peshë të veçantë: kapitenët e të dy skuadrave ishin shqiptarë. Iván Balliu, kapiten i Rayo Vallecanos dhe reprezentues i Kombëtares së Shqipërisë, dhe Besnik Krasniqi, kapiten i FC Dritës, përfaqësonin dy realitete të ndryshme futbolli, por me të njëjtën përkatësi kombëtare.

Ky detaj dëshmon për afirmimin e futbollistëve shqiptarë në nivele të ndryshme të futbollit evropian.

Para disa vitesh, përballja e një klubi kosovar me një skuadër të La Ligës spanjolle shihej si një objektiv i largët.

Sot, kjo është bërë realitet falë pjesëmarrjes së vazhdueshme në garat evropiane, rritjes së përvojës ndërkombëtare dhe përmirësimit të standardeve profesionale brenda klubeve kosovare.

Kualifikimi i Dritës në play-offin e Conference League dëshmon se futbolli kosovar nuk është më vetëm pjesëmarrës, por po hyn gradualisht në fazën e konkurrencës reale.

Ky sukses kërkon vazhdimësi, planifikim afatgjatë dhe investime të qëndrueshme, veçanërisht në zhvillimin e futbollistëve të rinj.

Në këtë prizëm, paraqitja e Dritës në Madrid dhe arritja e play-offit evropian përfaqësojnë një pikë reference të rëndësishme për rrugën që futbolli i Kosovës ka ndjekur dhe synon të vazhdojë në të ardhmen.

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët