Ka përfunduar rrugëtimi evropian i Dritës për sezonin 2025/2026, pas një paraqitjeje dinjitoze që tejkaloi parashikimet.
Ndeshja e kthimit ndaj skuadrës sllovene Celje u mbyll me rezultatin 3:2, i njëjti rezultat me të cilin u mbyll edhe takimi i parë në Prishtinë, duke vulosur eliminimin nga Conference League.
Ndeshja nisi me një rast të artë për gjilanasit, kur Liridon Balaj lëshoi një gjuajtje të fortë që po shkonte drejt këndit të portës, por portieri kundërshtar arriti ta dëbojë topin me vështirësi në këndore.
Pas këtij momenti, brenda vetëm katër minutave, Drita pësoi dy gola të shpejtë që vështirësuan misionin.
Megjithatë, reagimi i “Intelektualëve” ishte i menjëhershëm. Në minutën e 26-të, Besnik Krasniqi harkoi saktë nga e djathta, ndërsa Blerim Krasniqi u shkëput bukur me kokë për të ngushtuar rezultatin në 1:2.
Para mbylljes së pjesës së parë, një gabim në nisjen e topit nga portieri Faton Maloku i dha mundësi Celjes të fitojë një penallti, të cilën Seshlar e shndërroi në gol për 3:1.
Pjesa e dytë nisi sërish mirë për Dritën. Pas një harkimi nga këndi, Liridon Balaj gjeti në zonë Leonit Dabiqajn, i cili me një goditje “volej” shënoi për 3:2, duke rikthyer shpresat.
Ndonëse djemtë e Dritës luftuan me zemër dhe karakter deri në minutën e fundit, rezultati mbeti i pandryshuar.
Drita mbyll këtë kapitull evropian me kokën lart, duke treguar se është një emër që respektohet në skenën ndërkombëtare.
Tani, i gjithë fokusi i skuadrës kthehet drejt kampionatit vendor dhe objektivave të reja.

