Drita FC mbyll vitin me media, sponsorë e institucione bashkë për suksesin historik

 

Drita FC ka mbyllur vitin në mënyrën më të fuqishme të mundshme, duke dëshmuar se suksesi nuk ndërtohet vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

Klubi gjilanas organizoi një mbrëmje të veçantë me gazetarë lokalë e qendrorë, partnerë dhe sponsorë, një ngjarje që tashmë është shndërruar në traditë.

Në emër të klubit, drejtori sportiv Valon Zymberi falënderoi të gjithë ata që qëndruan pranë Dritës, duke theksuar se pa mediat, partnerët dhe sponsorët, ky sukses nuk do të ishte i mundur.

“Pa ju, Drita nuk do të ishte aty ku është sot”, ishte mesazhi i fortë i tij.

Peshë të veçantë këtij eventi i dha edhe prania e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili u shpreh krenar për të arriturat e Dritës, duke e cilësuar klubin si krenari të qytetit dhe simbol të suksesit sportiv.

Pas një viti historik për FC Dritën, kjo mbrëmje është dëshmi e qartë se suksesi ka shumë emra: media që e përcjellin, sponsorë që e mbështesin dhe një komunitet që beson fuqishëm.

“Faleminderit të gjithëve që ngritën zërin për Dritën, që ishin pranë saj në çdo hap dhe që u bënë pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Historinë e shkruajmë bashkë!”, kanë shkruar në faqen zyrtare të Dritës.

 

Shpërndaj me të tjerët