Drita gati t’i prijë betejës ndaj AZ Alkmaar në Conference League!

 

Duel zjarri në Prishtinë: FC Drita gati t’i prijë betejës ndaj AZ Alkmaar në Conference League!

Sot në mbrëmje, stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të vlojë! FC Drita përballet me gjigantin holandez AZ Alkmaar, në një sfidë tejet të fortë dhe vendimtare për vazhdimin e ëndrrës europiane. Dueli nis prej orës 18:45, ndërsa atmosfera pritet të jetë elektrizuese.

Një ditë para ndeshjes, trajneri Zekirja Ramadani u shfaq i vendosur dhe plot besim:
“Kemi ardhur deri këtu sepse jemi gjithmonë gati. Ekipi është i motivuar, i përgatitur dhe me disiplinë të lartë taktike. Do të japim maksimumin dhe synojmë të dalim të pamposhtur. Edhe barazimi do na kënaqte, por në fushë hyjmë vetëm për fitore.”

Ai theksoi se presioni nuk e frikëson dhe se skuadra po merr një mbështetje të madhe nga drejtuesit, të cilët po i motivojnë vazhdimisht.

Sulmuesi Arb Manaj, një nga pikat kyçe të ekipit, dha sinjale të qarta besimi:
“Jam i gatshëm për sfidën. E kemi analizuar mirë AZ Alkmaarin dhe besoj se mund të marrim rezultat pozitiv. Shpresoj që Intelektualët të jenë aty, i duam si gjithmonë, lojtari ynë i 12-të!”

Megjithëse Drita hyn e motivuar, skuadra do të ketë një mungesë të rëndësishme: kapitenin Rron Broja, i cili nuk është i gatshëm për lojë.

 

Shpërndaj me të tjerët