Drita – Gjilani, derbi që nuk vjen si dikur, por mbetet i rëndësishëm

 

Dy rivalët lokalë të Gjilanit, FC Drita dhe SC Gjilani, do të përballen sot në kuadër të javës së parafundit të sezonit vjeshtor në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Ky derbi i Anamoravës, i njohur për rivalitetin e kahershëm dhe interesimin e madh të tifozëve, i gjen dy skuadrat shumë pranë njëra-tjetrës në tabelë. Drita ndodhet në krye me 24 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa Gjilani renditet në vendin e gjashtë me 22 pikë.

Drita hyn në këtë takim pas disfatës së së enjtes ndaj ekipit holandez AZ Alkmaar, në kuadër të Ligës së Konferencës, ndërsa Gjilani vjen më i relaksuar pas fitores bindëse ndaj Llapit në xhiron e kaluar.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, i cili ka drejtuar më parë të dyja skuadrat dhe e njeh mirë rëndësinë e këtij derbi, ka theksuar se përballja do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. “Derbi i Anamoravës, derbi i qytetit, është gjithmonë një ndeshje shumë e rëndë dhe e dimë se çfarë do të thotë për tifozët. Do të jetë një ndeshje me intensitet të lartë. Do të bëjmë rotacione për t’i pasur lojtarët sa më të freskët, sepse në derbi duhet të jepet maksimumi. Këto ndeshje vendosen në momente dhe nuk ka justifikime, as lodhja e as mungesa e motivimit”, ka deklaruar Ramadani, duke shtuar se përballë rivalit të qytetit lodhja kalon në plan të dytë.

Nga ana tjetër, edhe SC Gjilani shfaqet optimist për këtë duel.

Sipas tyre, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të synuar një rezultat pozitiv, madje edhe fitoren.

Trajneri i Gjilanit, Debatik Curri, i cili për herë të parë do ta përjetojë këtë derbi nga banka, e ka cilësuar ndeshjen si shumë të veçantë për të gjithë. “Ne jemi gati për këtë përballje, për të marrë maksimumin dhe për të vazhduar ecurinë e rezultateve pozitive. Derbin e vendosin detajet, sepse fiton ai ekip që gabon më pak. Nuk duhet të ketë eufori, por gjakftohtësi. Duhet të menaxhohen emocionet dhe loja sa më mirë”, ka thënë Curri.

Ndeshja FC Drita – SC Gjilani luhet të dielën, me fillim nga ora 13:00, në stadiumin me bari sintetik dhe i takon derbit të 69-të ndërmjet këtyre dy skuadrave

 

Top of Form

Bottom of Form

 

Shpërndaj me të tjerët