Drita sot prej orës 15:00, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, zhvillon ndeshjen e parë si vendase për këtë edicion, kundër Drenicës, në kuadër të javës së dytë të Superligës, sfidë e shtyrë për shkak të angazhimeve në garat ndërkombëtare.
Skuadra gjilanase ende nuk e ka shijuar fitoren në kampionat: ka regjistruar dy barazime dhe një humbje, me golaverazh 3:4, duke u pozicionuar në vendin e parafundit në tabelë.
Kapiteni Rron Broja është shprehur optimist për rikthim te fitorja:
“Drenicën e respektojmë maksimalisht, kemi bërë analizën e lojës së tyre dhe presim që nesër të marrim fitoren e parë. Fillimi nuk ka qenë ashtu siç e kemi pritur, por jemi ekip me përvojë dhe do ta menaxhojmë lojën siç duhet. Nuk do të ketë dyshime për fitoren.”
Në anën tjetër, Drenica e rikthyer këtë sezon në elitë ka arritur një fitore, një barazim dhe një humbje, me golaverazh 1:3, duke grumbulluar katër pikë dhe renditet në pozitën e 7-të.
Dueli pritet të jetë i luftuar, pasi të dyja skuadrat synojnë pikë të plota: Drita për të nisur ngjitjen në tabelë dhe për të ringjallur ambiciet për mbrojtjen e titullit, ndërsa Drenica për të dëshmuar se është rikthyer si skuadër konkurruese në Superligë.