Klubi i volejbollit Drita (meshkujt) ka përfunduar stinorin vjeshtor duke u renditur në pozitën e tretë, mes katër ekipeve më të mira të Kosovës.
Skuadra ka grumbulluar 24 pikë, një më pak se vendi i dytë Ferizaj (25) dhe gjashtë më pak se lideri Peja.
Drejtuesit e klubit janë shprehur të kënaqur me këtë rezultat, duke theksuar se objektivi kryesor për këtë fazë të garave është arritur: të jenë ndër ekipet më të mira në vend.
Drita po ashtu është pjesë e Ligës “Gjergj Kastrioti”, duke u renditur mes 8 ekipeve më të mira Kosovë–Shqipëri, në një grup me KV Peja, KV Tiranën dhe KV Skënderbeun e Korçës.
“Këto arritje janë rezultat i punës së pandalur të lojtarëve tanë, të cilët nuk u ndalën asnjë moment në rrugën drejt përmirësimit dhe performancës,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Po ashtu, drejtuesit falënderuan stafin e trajnerëve, kryesinë, sponsorët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.
KV Drita njofton se do të vazhdojë me të njëjtin projekt si vitin e kaluar: punë me djem të rinj dhe synime drejt majave, pa hezitim dhe me besim të plotë në zhvillim.
