Drita e Gjilanit sonte shkruan historinë në futbollin evropian.
Kampionët e Kosovës zbresin në fushë për ndeshjen e parë në fazën e grupeve të “UEFA Conference League”, ku do të përballen me skuadrën finlandeze KuPS në Tammela Stadium, Tampere, nga ora 18:45.
Atmosfera në kampin bardhekaltër është optimiste dhe e mbushur me energji. Harmonia brenda grupit, përkushtimi i stafit teknik dhe kompaktësia e lojtarëve japin sinjale të qarta se Drita është gati për një paraqitje dinjitoze dhe për të synuar pikët maksimale që në debutim.
Kryetrajneri Zekirija Ramadani është i qartë: “Ne tashmë jemi familjarizuar me Evropën. Për të arritur rezultat duhet futboll i mirë, punë e palodhshme dhe përballje me sfidat. Është një arritje historike, por nuk duam të ndalemi këtu. Kemi obligim moral e profesional të japim gjithmonë më shumë për të arritur suksese të tjera.”
Optimizmi reflektohet edhe tek futbollistët. Almir Ajvazaj shprehu emocionet e tij para ndeshjes:
“Është hera e parë që unë dhe grupi jemi pjesë e fazës së grupeve. Jemi mobilizuar maksimalisht dhe kemi punuar me vite për këtë moment. Jemi gati të japim gjithçka.”
Përballja Drita – KuPS premton spektakël, emocione dhe histori të re për futbollin kosovar.
Të gjithë sytë janë drejt Tampere-s: a do të kthehet Drita me pikë nga debutimi i saj evropian?