Drita, ashtu siç ishte pritur, ka marrë një fitore të sigurt në Lipjan ndaj Prishtinës së Re, skuadër që këtë sezon është inkuadruar në Superligë.
“Bardhekaltërtit” triumfuan me rezultat 2:0 në kuadër të javës së 14-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Epërsia u vendos herët. Në minutën e 22-të, kapiteni Rron Broja zhbllokoi rezultatin dhe e dërgoi Dritën në avantazh 1:0.
Golin e dytë dhe të qetësisë e shënoi Kristal Ajvazaj në minutën e 54-t, duke vulosur fitoren e merituar të mysafirëve.
Me këtë tre-pikësh, Drita ngjitet në kuotën e 23 pikëve, aq sa ka edhe Ballkani që mban pozitën e dytë.
Pikërisht ndaj Ballkanit, Drita do të luajë në javën e 15-të në Gjilan, një derbi i madh i viteve të fundit.
Pas kësaj fitoreje, kampionët e presin të qetë dhe me moral të lartë ndeshjen e së enjtes kundër Shkëndijës së Tetovës në kuadër të Conference League.

