Me fitoren e mbrëmshme në Luksemburg, Drita ka shkruar histori në futbollin kosovar, duke siguruar kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.” Bardhekaltrit” triumfuan me rezultat 3:2 ndaj Differdange 03, duke i dhënë fund këtij çifti me dy fitore, pasi kishin fituar edhe ndeshjen e parë në Gjilan 1:0.
Trajneri Zekirija Ramadani, pas ndeshjes së parë, kishte deklaruar me besim: “Tash e kemi më lehtë, sepse e kemi lojën dhe do ta analizojmë mirë për ndeshjen e kthimit.” Dhe ashtu ndodhi. Strategu shkupjan, i cili mban një rekord të rrallë me katër tituj kampioni në Kosovë me katër skuadra të ndryshme, bashkë me stafin teknik kishte skanuar në detaje kundërshtarin dhe përgatitur një plan lojë që dha rezultat të plotë.
Drita u paraqit me disiplinë, përkushtim dhe organizim taktik, duke dominuar edhe si mysafire dhe duke dëshmuar se nuk është thjesht një pjesëmarrëse, por një konkurrente serioze në arenën europiane.
Kjo fitore shënon një moment historik për klubin dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi. Drita po tregon se ngjitja në skenën ndërkombëtare nuk është rastësi, por rezultat i një pune afatgjatë dhe profesionale.
Drita, emër në ngritje në futbollin europian
Me kalimin në turin e dytë, Drita do të përballet me një nga skuadrat më të njohura të Danimarkës, FC Copenhagen, një klub me eksperiencë të gjatë në Ligën e Kampionëve dhe garat e tjera europiane.
Por “bardhekaltëri”t tashmë kanë treguar se dinë të analizojnë çdo kundërshtar, të përgatiten siç duhet dhe të bëjnë paraqitje të denja. E kaluara flet për ta: kanë qenë shumë pranë për të eliminuar ekipe të mëdha si: Feyenoord (Holandë) dhe Royal Antëerp (Belgjikë).
Kjo përvojë e pasur ndërkombëtare i ka formësuar si skuadër serioze, që nuk duhet nënvlerësuar më nga asnjë kundërshtar. Drita nuk është më një emër i ri, është një skuadër me profil dhe qëndrueshmëri në garat evropiane.
Drita nuk është më kalimtare në Evropë
Kualifikimi i fundit është më shumë se një sukses, është një mesazh për të gjithë kundërshtarët e ardhshëm: Drita nuk është një ekip i lehtë për t’u kaluar. Përkundrazi, është një klub që duhet respektuar, sepse çdo ndeshje e analizon, çdo gabim e korrigjon dhe çdo mundësi e shfrytëzon me efikasitet.
Rrugëtimi vazhdon
Përballë Copenhagenit do të jetë sfidë tjetër, por me vetëbesim, përgatitje të thellë dhe shpirt garues, Drita do të kërkojë të vazhdojë rrugën drejt ëndrrës europiane.
Drita është një histori suksesi që po shkruhet me pasion, disiplinë dhe besim në vetvete.