Sonte, me fillim nga ora 20:00, në Municipal Stadium vun der Stad Déifferdeng, skuadra e Dritës do të përballet me Differdange 03, në kuadër të UEFA Conference League – Play Off (2nd Leg).
Kjo është përballja e dytë mes dy skuadrave, teksa ndeshjen e parë në Prishtinë, bardhekaltrit e fituan me rezultat 2:1. Një rezultat që e mban Dritën shumë afër historisë, pasi çdo barazim apo fitore do ta dërgonte skuadrën gjilanase në fazën e grupeve të Conference League, një sukses i madh për futbollin kosovar.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është shprehur optimist para këtij dueli vendimtar:
“Luajmë për rezultat e jo vetëm për lojë. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe tashmë e njohim mirë kundërshtarin.”
Për shkak të kësaj ndeshjeje vendimtare, Drita nuk e zhvilloi as takimin e javës së dytë të Superligës së Kosovës kundër Drenicës.
Sytë dhe pritjet janë të mëdha për bardhekaltrit, që sonte kanë mundësinë të shkruajnë një kapitull të ri në historinë e klubit dhe të futbollit kosovar.