Drita mposht Llapin në transfertë, merr kryesimin

Skuadra e Dritës ka arkëtuar tri pikë të arta në udhëtim, duke mposhtur Llapin me rezultat të pastër 0-2 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Kjo ndeshje, në kuadër të  javës e 21-të të Albi Mall Superligës, ka një lider të ri në futbollin kosovar.

Ndeshja nisi e balancuar, me të dyja skuadrat që treguan kujdes të qëndrojnë në fazën e mbrojtjes. Megjithatë, fraksioni i dytë i foli për mysafirët nga Gjilani.

Në minutat e 64-të, pas një aksioni të mirëndërtuar, Sheji, mbrojtësi i majtë me tipare sulmuese, gjendej mjaft mirë brenda zonës dhe nga afërsia mposhti portierin vendas për rezultatin 0-1.

Për të mbyllur çdo dilemë rreth fituesit u kujdes Veton Tusha .

Sulmuesi depërtoi me mjaft zgjuarsi nga krahu i majit dhe me një goditje precize dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e dytë për skuadrën e tij dhe të parin personal në këtë takim.

Ky triumf vjen në momentin më të mirë për gjilanasit. Duke shfrytëzuar gabimet e rivalëve direkt, Ballkanit dhe Prishtinës, Drita është  ngjitur në kuotën e 38 pikëve , duke marrë primatin e superligës..

 

Shpërndaj me të tjerët