Skuadra kampione e Kosovës, Drita e Gjilanit, ka nisur aventurën e saj të parë në fazën e grupeve të UEFA Conference League, me ndeshjen kundër KuPS që do të luhet të enjten në orën 18:45, në Tammela Stadion – Tampere të Finlandës.
Ajo që bie menjëherë në sy është organizimi perfekt dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i stafit.
Çdo detaj është planifikuar me minutë: nga përgatitja e veshmbathjes sportive nga ekonomët e klubit, koordinimi i autobuzit për në aeroport, deri te stafi teknik dhe lojtarët.
Drita ka treguar gjithashtu kujdes maksimal për median, duke ftuar 6 përfaqësues të mediave lokale dhe duke u mundësuar atyre qasje të rregulluar për të dokumentuar çdo moment.
Ky është një shembull i qartë i transparencës dhe profesionalizmit që e dallon klubin kosovar në nivel ndërkombëtar.
Në orën 16:10, aeroplani mori drejtimin për Tampere, me një fluturim prej 3 orë e 10 minutash.
Gjatë gjithë kohës, stjuardesat dhe disa të rinj nga ekipi i Dritës ofronin pandërprerë pije, kafe, çaj, lëngje dhe ushqim, duke u kujdesur që çdo udhëtar të ndihej komod dhe i mirëpritur.
Çdo kërkesë përshkonte menjëherë, dhe shërbimi nuk pushoi për asnjë moment gjatë fluturimit, duke siguruar një udhëtim të këndshëm dhe të organizuar në çdo detaj.
Pas mbërritjes në aeroport, autobusi i çoi lojtarët dhe stafin në hotelin e rezervuar, 40 km larg, ku akomodimi dhe darka u organizuan me përpikëri. Ditën e mërkurë gjithçka do të zhvillohet sipas programit: mëngjes, dreka, stërvitje dhe një konferencë për mediat, ku gazetarët do të kenë mundësi të filmojnë ekskluzivisht 15 minuta.
Ky nivel i lartë organizimi, përkujdesi për lojtarët, stafin dhe mediat, dhe atmosfera pozitive brenda ekipit, japin sinjal të qartë se Drita është e gatshme për sfidën europiane.
Me këtë qasje, skuadra e Gjilanit nuk kërkon vetëm të luajë, por edhe të tregojë se si një klub kosovar mund të arrijë standarde të larta dhe të përfaqësojë dinjitetshëm Kosovën në arenën ndërkombëtare.