Drita për vazhdimësi të rezultateve pozitive në Skenderaj

 

Në kuadër të javës së 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, kampionia aktuale, FC Drita, udhëton sot në Skenderaj për t’u përballur me Drenicën, me synimin për të vazhduar serinë e lojërave dhe rezultateve pozitive.

Ndeshja Drenica – Drita zhvillohet sot (e merkurë) nga ora 13:00 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Skuadra gjilanase ka zhvilluar përgatitje maksimale për këtë sfidë, me objektivin e qartë për të mbetur në hap me kreun e tabelës.

Trajneri Zekirija Ramadani ka theksuar se fokusi kryesor i ekipit mbetet konsolidimi në Superligë dhe ruajtja e ritmit të lartë të performancës.

Me potencialin dhe kualitetin që ka në përbërje, Drita shihet si favorite për të triumfuar në këtë ndeshje, megjithëse kujtohet se Drenica kishte arritur të fitonte në takimin e parë të këtij kampionati në Gjilan me rezultat minimal 1:0.

Në anën tjetër, Drenica e trajnerit Bylbyl Sokoli po kalon në një krizë rezultatesh dhe do të kërkojë të rikthehet në rrugën e fitores para tifozëve të saj.

 

 

Shpërndaj me të tjerët