FC Drita ka bërë të ditur se është përforcuar me dy lojtarë të rinj e perspektiv për pjesën e mbetur të kampionatit.
Në faqen zyrtare të klubit është njoftuar për ardhjen e Mike Arthur (18 vjeç), nga akademia e klubit United Black Eagles Sporting Club, dhe Morris Fuseini (19 vjeç), nga Pro Players Soccer Academy që garon në Premierligën e Ganas.
Arthur luan si sulmues i krahut të djathtë, ndërsa Fuseini si mbrojtës i djathtë.
Marrëveshjet mes klubit dhe lojtarëve janë arritur gjatë afatit kalimtar të verës, por për shkak të vonesave me viza, prezantimi i tyre u bë sot nga drejtori sportiv, Valon Zymberi.
Që nga sot, dyshja ganezë i janë bashkuar skuadrës bardhekaltër dhe pritet të jenë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme.
Ndërkohë, të hënën Drita do të ketë një përballje shumë të fortë kundër rivalit lokal, SC Gjilani, derbi që gjithmonë sjell emocione të veçanta dhe interesim të madh nga tifozët.
Përforcimet e reja shihen si një armë shtesë për kampionët aktual në këtë sfidë dhe në ndeshjet tjera të kampionatit.