Në kuadër të xhiros së 8-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, Drita ka arritur një përmbysje dramatike ndaj rivalit lokal Gjilani, duke fituar me rezultat 2:1, në një ndeshje të luftuar dhe plot emocione.
Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 44-të, kur Aganspahiq realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke dërguar skuadrën e tij në pushim me avantazh minimal.
Në pjesën e dytë, Drita reagoi fuqishëm. Liridon Balaj barazoi rezultatin në minutën e 54-të, ndërsa golin ia dedikoi bashkëlojtarit të tij, Veton Tushues, i cili ka kryer një operim pas lëndimit në Finlandë.
Përmbysjen e kompletoi Dabiqaj në minutën e 76-të, duke shfrytëzuar një mbrojtje të dobët të Gjilanit dhe duke siguruar fitoren për bardhekaltërit.
Edhe pse stadiumi është ende në ndërtim dhe ndeshjet po luhen në stadiumin me bari sintetik, mungesa e tifozëve u ndje dukshëm. Megjithatë, atmosfera mes skuadrave në fushë ishte e zjarrtë, me intensitet dhe rivalitet të lartë gjatë gjithë ndeshjes.