Drita po ecën drejt rrugës së një klubi të madh profesional

 

Kampioni i Kosovës nis projektin madhor të kampit stërvitor, investim strategjik për të ardhmen e klubit dhe futbollit gjilanas

Skuadra kampione e Kosovës në futboll, FC Drita e Gjilanit, e cila këtë sezon ka shkruar histori në garat evropiane, po ecën me hapa të sigurt drejt konsolidimit si klub i madh profesional.

Edhe pse stadiumi i qytetit ende nuk është funksional dhe nuk dihet saktësisht se kur do të përfundojë, drejtuesit e klubit kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik, duke prezantuar projektin e kampit stërvitor të FC Dritës,  një investim madhor, vizionar dhe i domosdoshëm për zhvillimin afatgjatë të klubit dhe futbollit në Gjilan.

Kampi stërvitor do të ndërtohet në një hapësirë prej 4 hektarësh e 21 arësh, ndërsa projekti parasheh ndërtimin e dy fushave stërvitore, njëra me bari artificial dhe tjetra me bari natyral, me dimensione standarde 105 x 65 metra.

Përveç stërvitjeve, në këtë kamp mund  të zhvillohet  edhe ndonjë ndeshje miqësore, si dhe eventualisht ndeshje të Kupës së Kosovës në raundin e parë, duke i dhënë këtij kompleksi edhe funksion garues.

Po ashtu, është paraparë ndërtimi i një objekti dy-katësh, i cili do të përfshijë dy zhveshtore dhe një kafiteri, ndërsa kjo fazë e projektit pritet të përfundojë gjatë verës së këtij viti.

Në fazën e dytë të projektit, e planifikuar për vitin e ardhshëm, parashihet ndërtimi edhe i një objekti të madh për palestër dhe fitnes, duke kompletuar kështu infrastrukturën moderne të klubit.

Sa i përket kapaciteteve për shikues, fusha me bari sintetik do të ketë rreth 500 ulëse, ndërsa fusha me bari natyral deri në 700 ulëse, çka do t’u mundësojë tifozëve të ndjekin nga afër aktivitetet sportive.

Ky projekt konsiderohet një hap i madh drejt profesionalizimit të plotë të FC Dritës dhe një bazë e fortë për sukseset e ardhshme në garat vendore dhe ndërkombëtare.

Shpërndaj me të tjerët