Drita rikthehet në parket: nis stërvitjet për Ligën e Parë të Kosovës në basketboll

 

Nën drejtimin e trajnerit Gyltekin Selimi, klubi i basketbollit Drita ka nisur stërvitjet, me synimin për një rikthim të suksesshëm në Ligën e Parë të Kosovës.

Pas një sezoni të humbur vitin e kaluar për shkak të mungesës së organizimit dhe mbështetjes financiare, Drita është riorganizuar dhe tashmë synon stabilitet dhe performancë të mirëfilltë.

Trajneri Selimi ka pranuar se kushtet për stërvitje nuk janë ideale, pasi skuadra po përgatitet në sallën e edukatës fizike të shkollës “Rexhep Elmazi”. Megjithatë, ai thekson se për momentin kanë një fond minimal lojtarësh të mjaftueshëm për të nisur sezonin:

 “Për fillim kemi lojtarë të mjaftueshëm dhe shpresojmë që dita-ditës të forcohemi edhe më shumë,” tha Selimi.

Ai shtoi se të gjithë lojtarët janë vendorë, ndërsa sipas rregullave të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) mund të angazhohet vetëm një lojtar nga jashtë.

Optimist është edhe drejtori sportiv, Arben Bislimi, i cili thekson se rikthimi i klubit do të jetë gradual dhe kërkon kohë, por këtë vit shpreson që skuadra të nisë rrugën drejt stabilitetit dhe rezultateve pozitive.

 “Ka qenë e dhimbshme mos pjesëmarrja jonë në garat e vitit të kaluar. Tash kemi kryetar, donatorë dhe mbështetje edhe nga kryetari i komunës, Alban Hyseni. Kjo na jep besim se gradualisht do të kthehemi aty ku e kemi vendin,” tha Bislimi.

Klubi Drita ka një histori të pasur në basketbollin kosovar, duke qenë kampion i Kosovës para luftës dhe pjesë e katërsheve më të forta edhe pas saj. Me një frymë të re dhe organizim të qëndrueshëm, ky emër i madh i sportit gjilanas synon të rikthehet fuqishëm në skenën e basketbollit kosovar.

 

 

Shpërndaj me të tjerët