Drita “rrëmben” një yll të Kombëtares Shqiptare, Mario Lugaj vishet bardhekaltër

 

Klubi i Volejbollit Drita në konkurrencën e meshkujve ka bërë një përforcim të madh për sezonin e ri, duke angazhuar një prej lojtarëve më premtues të volejbollit shqiptar, Mario Lugaj.

Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i klubit, Arbërim Kqiku, i cili e cilësoi këtë transferim si një hap konkret në realizimin e projektit ambicioz të Dritës për sezonin e ardhshëm.

“Me shumë kënaqësi njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me një nga talentet më të mëdha të Shqipërisë, Mario Lugaj. Kemi nënshkruar kontratë njëvjeçare me të, dhe besojmë se do të jetë një shtyllë kyçe e ekipit tonë”, deklaroi Kqiku.

Mario Lugaj, i cili luan në pozitën e pranuesit (receiver), sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës së Vllaznisë së Shkodrës dhe njëherazi anëtar i rregullt i Kombëtares Shqiptare. Me përvojën dhe energjinë e tij, pritet të sjellë një dimension të ri në lojën e Dritës.

Lugaj ka pranuar me shumë entuziazëm projektin sportiv të klubit gjilanas dhe është gati të kontribuojë maksimalisht për suksesin e skuadrës.

Përgatitjet zyrtare të ekipit do të nisin më 1 shtator, ndërsa synimi mbetet i qartë: Drita kërkon ta implementojë me sukses projektin e saj ambicioz dhe, si rrjedhojë, të jetë një konkurrent serioz për titullin kampion. Me këtë përforcim cilësor dhe me një skuadër më të kompletuar e më me përvojë se kurrë më parë, ky objektiv duket më i arritshëm se asnjëherë më parë.

 

Shpërndaj me të tjerët