Drita sfidon FCSB-në: Kriza e tyre s’na mashtron, jemi gati për rezultat pozitiv

 

Një ditë para përballjes në Bukuresht ndaj FCSB-së, Drita ka mbajtur konferencë për media, ku u paraqitën trajneri Zekirija Ramadani dhe portieri Faton Maloku.

Zekirija Ramadani u shpreh i vetëdijshëm për sfidën që i pret:

“Nesër na pret një përballje mjaft e fortë kundër një skuadre shumë cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari siç është FCSB.”

I pyetur për eliminimin e FCSB-së nga Shkëndija sezonin e kaluar, Ramadani tha:

“Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. Ajo pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati ka rol të rëndësishëm.”

Për deklaratat nga kampi i FCSB-së, ai shtoi:

“Deklarata e trajnerit ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll.”

Faton Maloku, nga ana tjetër, u shpreh me besim:

“E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Nëse i zbatojmë ato që na ka treguar trajneri, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.”

 

 

Shpërndaj me të tjerët