Drita, sonte në betejë për kalimin tutje në Champions League

 

Skuadra e Dritës së Gjilanit, sonte nga ora 20:00, do të përballet me Differdange 03 në stadiumin “Stade Municipal de la Ville de Differdange” në Luksemburg, në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të UEFA Champions League.

Bardhekaltërtit, që kanë udhëtuar të dielën drejt Luksemburgut, kanë zhvilluar stërvitjen zyrtare ditën e djeshme dhe janë gati për sfidën vendimtare.

Drita vjen në këtë përballje me një epërsi prej 1:0 nga ndeshja e parë e luajtur në Prishtinë dhe synon të ruajë avantazhin për të kaluar në raundin tjetër të garës më prestigjioze në futbollin evropian.

Trajneri Zekirija Ramadani i ka të gjithë lojtarët në dispozicion për këtë ndeshje, ndërsa një lajm i mirë është rikthimi i kapitenit Rron  Broja, një shtyllë e rëndësishme në mesfushë.

Atmosfera në skuadër është pozitive, me motivim të lartë dhe besim në arritjen e objektivit, kalimin në raundin tjetër të Championsit.

 

Shpërndaj me të tjerët