Drita sot udhëton në Finlandë për debutimin historik në Conference League

 

Skuadra kampione e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, sot udhëton drejt Finlandës për të nisur aventurën e saj të parë historike në fazën e grupeve të UEFA Conference League.

Të enjten nga ora 18:45, “bardhekaltrtit” do të përballen me skuadrën vendase KuPS, në stadiumin Tammela.

Përgatitjet për këtë sfidë janë bërë në të dy aspektet, si në atë tekniko–taktik, ashtu edhe psikologjik, pasi kjo është hera e parë që Drita paraqitet në këtë nivel garash ndërkombëtare.

Ajo është skuadra e dytë kosovare pas Ballkanit që arrin fazën e grupeve, ndërsa tifozët bardhekaltër po e presin me emocion këtë debutim.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është shprehur i matur para sfidës, duke theksuar se skuadra e tij do të zhvillojë lojë zonale dhe pret një paraqitje më të mirë se në ndeshjet e Superligës.

Ai beson te përvoja dhe përgatitja maksimale e ekipit, i cili synon të ruajë ritmin e lartë të lojës dhe të shfrytëzojë hapësirat për kundërsulme.

Në historinë e saj në garat evropiane, Drita shpesh ka zhvilluar ndeshje të mira si mysafire dhe ka arritur rezultate pozitive në kthim.

Tifozët shpresojnë që edhe këtë herë kampionët në fuqi do   të rikthehen nga Finlanda me një rezultat të favorshëm.

 

Shpërndaj me të tjerët