Kampionia aktuale FC Drita zbret sot në fushë para publikut vendas, ku në Gjilan e pret skuadrën mysafire FC Drenica, në kuadër të javës së 20-të të Albi Mall Superliga e Kosovës.
Drita vjen e përgatitur dhe e motivuar për të mos gabuar, me synimin e qartë që të arkëtojë tri pikë të reja në garën për titull.
Kryetrajneri Zekirija Ramadani ka theksuar se kundërshtari duhet respektuar, por se fitorja është obligim brenda fushës.
“Duhet të luajmë agresivisht. Drenica ka futbollistë cilësorë, por ne kemi objektivat tona. Besojmë në grupin dhe motivimin që na jep titulli i kampionit. Prioriteti ynë mbetet kampionati dhe Evropa”, ka deklaruar Ramadani..
Edhe futbollisti dhe kapiteni i ndeshjes së fundit kundër Llapit për Kupë, Engjëll Sylejmani është shprehur optimist: “Kemi punuar shumë dhe duke dhënë maksimumin besoj se do t’ia dalim. Për mua më e rëndësishmja është ta ndihmoj ekipin, pavarësisht pozitës”.
Ndeshja zhvillohet sot në Stadiumin ndihmës në Gjilan (Te Rrethi), me fillim nga ora 13:00.

