Dua Lipa elektrizon Argjentinën dhe viziton “La Bombonerën”

Dua Lipa elektrizon Argjentinën dhe viziton “La Bombonerën”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, e cila jeton dhe vepron në Angli, po përjeton momente të paharrueshme gjatë turneut të saj në Argjentinë.
Pas dy netëve të mbushura me spektatorë në stadiumin “Monumental”, ajo vizitoi stadiumin legjendar “La Bombonera” për të ndjekur supersfidën Boca Juniors – River Plate.

Në këtë ndeshje, ku Boca fitoi 2-0, Dua Lipa u pa në tribunë duke shijuar atmosferën unike të futbollit latin.
Pas ndeshjes, ajo u takua me Juan Roman Riquelmen, ish-futbollistin legjendar dhe aktualisht president i Boca Juniors, i cili e priti me shumë respekt dhe i dhuroi një fanellë me numrin 10 dhe emrin e saj, një simbol nderimi të madh në kulturën e klubit.

Takimi bëri xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa tifozët argjentinas e cilësuan “magjik” momentin e yllit botëror të muzikës me mitin e futbollit latin.
Megjithëse më herët edhe River Plate i kishte dhuruar një fanellë gjatë koncerteve në “Monumental”, Dua Lipa zgjodhi të mos deklarohej “tifoze” e asnjërit klub, duke fituar simpatinë e të dyja palëve.

Në koncertet e saj, ajo surprizoi publikun duke kënduar edhe dy këngë të njohura argjentinase,  “De Música Ligera” dhe “Tu Misterioso Alivio”,  duke fituar zemrat e fansave vendas.
Me dy fanella, shumë kujtime dhe mijëra duartrokitje, Dua Lipa u largua nga Buenos Aires e përqafuar nga dashuria e Argjentinës.

Shpërndaj me të tjerët