Dua Lipa po i bashkon dy botët që i do më shumë, futbollin dhe muzikën. Këngëtarja me origjinë shqiptare nga Kosova, e cila po qëndron në Amerikën Latine për turneun e saj, ka përjetuar nga afër disa prej derbive më të zjarrta të futbollit në botë.
Para pak ditësh në Buenos Aires, ajo u pa në tribunat e derbit të famshëm argjentinas Boca Juniors – River Plate, një nga ndeshjet më të pasionuara të futbollit global.
Nga Argjentina, Dua Lipa udhëtoi drejt Brazilit për koncertet e radhës, dhe natyrisht, nuk humbi rastin të vizitonte Maracana-n legjendare.
Ajo ishte e pranishme në derbin Flamengo – Fluminense, ku tërhoqi vëmendje të madhe te tifozët.
Dua madje veshi edhe një fanellë të kombëtares braziliane, ndërsa qindra tifozë e njohën dhe u rreshtuan për të bërë foto me të.
Superylli shqiptar po shijon futbollin latin po aq fort sa edhe skenën, ndërsa momentet e saj nga stadiumet janë bërë virale në rrjetet sociale.

