Duka dhe kapiteni Gjimshiti përkrahin Luginën e Preshevës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka, i shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Sh.T. Bardhyl Canaj, ka vizituar Bujanocin, ku është pritur nga kryetari i komunës, Arbër Pajaziti.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi presidentin Duka për mbështetjen e FSHF-së në organizimin e turneut të futbollit për fëmijë, duke e cilësuar si një nismë të rëndësishme që bashkon të rinjtë përmes sportit.

Ai shprehu besimin se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen, si dhe vlerësoi përkushtimin e FSHF-së për përfshirjen e talenteve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë edhe Luginën e Preshevës.

Pajaziti ndau gjithashtu emocionet që komuniteti ndien ndaj Kombëtares shqiptare dhe shprehu shpresën që shumë të rinj nga Lugina një ditë do të ndjekin shembullin e Berat Gjimshitit.

Ndërkohë, edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka përshëndetur përmes një video-mesazhi zhvillimin e këtij turneu.
“Jam shumë i lumtur që në Luginën e Preshevës po zhvillohet ky turne futbolli për fëmijë, një nismë e bukur dhe shumë domethënëse për komunitetin dhe të ardhmen e futbollit në këtë zonë. Ju përshëndes me shumë dashuri dhe ju uroj suksese në çdo ndeshje dhe çdo ëndërr tuajën”, tha Gjimshiti.

 

 

Shpërndaj me të tjerët