Klubi i Karates Emperors nga Gjilani ka shkëlqyer në Kampionatin Mbarëkombëtar të Karatesë që u mbajt në Prishtinë, duke marrë pjesë vetëm me dy garues, por me bilanc 100% suksesi: dy garues, dy medalje të arta, dy kampionë mbarëkombëtarë.
Nart Klaiqi dhe Deon Kadriu u shpallën kampionë në kategoritë e tyre, duke siguruar medaljet e arta për klubin gjilanas. Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i tyre, Elhami Shabani.
Trajneri Shabani, vetë kampion i shumëfishtë i Kosovës në karate, ka deklaruar se ky sukses është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të vazhdueshëm në klub.
“Suksesi i këtyre dy kampionëve është dëshmi e punës, disiplinës dhe profesionalizmit që ne zhvillojmë çdo ditë në klubin tonë,” ka thënë Shabani.
Club Emperors edhe një herë dëshmoi se cilësia dhe përgatitja profesionale mund të flasin më shumë se numri i garuesve.
