Kombëtarja e Kosovës U17 e vajzave ka arritur sërish këtë vit të sigurojë kalimin në Ligën A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2026.
Ky është një sukses i madh që dëshmon punën, përkushtimin dhe cilësinë e brezit të ri të futbollisteve kosovare, si dhe angazhimin e stafit teknik në krye me trajneren Sanije Krasniqi.
Kjo është hera e katërt radhazi që vashat e reja arrijnë këtë objektiv, duke e bërë FFK-në një shembull të zhvillimit të futbollit të vajzave në rajon.
Në përbërje të këtij ekipi janë edhe dy futbolliste nga Gjilani, Ema Maliqi dhe Leona Maloku, që luajnë në pozitën e mesfushoreve.
Në veçanti, Ema Maliqi ka qenë njëra nga lojtaret kyçe të Kombëtares, duke dhënë kontribut të çmuar gjatë këtij kualifikimi dhe duke u dalluar me paraqitjet e saj.
Ema është shprehur e lumtur dhe krenare për këtë arritje, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe nuk do ta zhgënjejë as Kombëtaren e as qytetin e saj, Gjilanin.


