Dy punëtorë lëndohen nga goditja e rrymës në Gjilan, gjatë ndërrimit të njehsorëve

 

Dy punëtorë janë lënduar të hënën në rrugën “Skënderbeu” në Gjilan, pasi u goditën nga rryma elektrike gjatë punimeve për ndërrimin e njehsorëve.

Sipas Policisë së Kosovës, të lënduarit kanë marrë plagë trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Njësitë policore, së bashku me inspektorin e punës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e incidentit.

“Dy viktimat, meshkuj kosovarë, gjatë punës në ndërrimin e njehsorëve janë goditur nga rryma elektrike. Të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe inspektori i punës, ndërsa është njoftuar edhe prokurori i rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

 

Shpërndaj me të tjerët