Dy rastet e rënda në Gjilan, Hyseni: Autorët para drejtësisë sa më shpejt

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), deklaroi se dy rastet e fundit,  dhuna ndaj një vajze të mitur dhe vrasja e trefishtë,  kanë tronditur gjithë qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës.

 “Rastet e tilla janë të papranueshme dhe shqetësuese. Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë, të marrin masat e nevojshme dhe autorët të sillen para drejtësisë sa më shpejt,” tha Hyseni.

Ai theksoi se Gjilani historikisht ka qenë një qytet i qetë dhe i sigurt, ku për vite me radhë nuk janë shënuar ngjarje të tilla tragjike, duke u zotuar se dhuna dhe krimi nuk do të kenë vend në jetën e përditshme të qytetarëve. Në këtë mbledhje raportuan drejtori i Policisë Rajonale, Agron Rukiqi, shefi i Hetimeve për Krimin e Organizuar, Fidan Haliti, drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi, përfaqësues nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, si dhe përfaqësues nga ushtria, inspektorati policor, organizatat joqeveritare dhe mediat, ndërsa Prokuroria Themelore e Gjilanit ka dërguar raport me shkrim për veprimet e ndërmarra.

Mesazhi nga kjo mbledhje ishte i qartë: Gjilani nuk do të lejojë që dhuna të bëhet pjesë e realitetit të tij, ndërsa institucionet janë zotuar për reagim të shpejtë dhe të koordinuar, në mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurt.

Shpërndaj me të tjerët