Dy sfida të forta sot për skuadrat gjilanase

 

Dy skuadrat gjilanase në elitën e futbollit kosovar, Drita dhe Gjilani, sot zhvillojnë ndeshje mjaft të rëndësishme pas një fillimi jo të mirë në katër xhirot e para të kampionatit.

 Drita beson te kualiteti
Kampioni në fuqi, Drita, nga ora 15:00 pret në shtëpi Prishtinën e Re, skuadër e sapo inkuadruar që deri tani ka dy fitore dhe dy disfata, me 6 pikë në pozitën e pestë.
Trajneri Zekirija Ramadani theksoi se ekipi i tij duhet të reagojë:
“Nuk e kemi nisur siç pritej, por me vetëkritikë dhe besim në eksperiencën e futbollistëve tanë jam i bindur se nesër do të rikthehet fytyra e vërtetë e Dritës. Lodhja është prezente, por duhet të japim gjithçka për objektivin tonë”, tha ai.

Gjilani përballë një testi të fortë në Ferizaj
Në anën tjetër, Gjilani ende nuk ka bindur me paraqitjet e tij. Pas një loje të dobët ndaj Malishevës në shtëpi, ekipi i Ardian Nuhiut kërkon kthesën ndaj Ferizajt, në një sfidë që pritet të jetë e luftuar.
Trajneri Nuhiu kërkon angazhim maksimal:

“Ferizaj është kundërshtar i fortë, luftarak, dhe ne duhet të përgjigjemi me disiplinë dhe përkushtim. Besoj fuqishëm te ky ekip, është ende fillimi i kampionatit dhe kemi kohë të rikuperojmë pikët e humbura”, deklaroi ai.

 

 

Shpërndaj me të tjerët