Është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare Fazli Fazliu, sportist nga Përlepnica, pas një sëmundjeje të rëndë.
Lajmi i ndarjes së tij ka pikëlluar familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv gjilanas.
Fazli Fazliu ia kushtoi gjithë jetën sportit, fillimisht volejbollit dhe veçanërisht basketbollit, ku ishte basketbollist i KB Drita.
Për shumë vite ai ishte edhe në krye të këtij klubi, në periudhën më të suksesshme të tij, duke ushtruar detyrën e drejtorit dhe kryetarit në periudha të ndryshme dhe duke dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e basketbollit në Gjilan dhe në Kosovë.
I ndjeri ishte gjithashtu anëtar i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku kontribuoi me përvojën dhe përkushtimin e tij.
Po ashtu, në vitin 2009 ishte kampion i Kosovës në Streetball, duke udhëhequr me sukses ekipin e Përlepnices për disa vite me radhë.
Fazli Fazliu ishte aktiv edhe në jetën sportive dhe kulturore të Përlepnices dhe do të kujtohet gjithmonë si një bashkëvendës i mirë dhe i dashur për të gjithë.
Varrimi do të bëhet të hënën, më 02.02.2026, me namazin e ikindisë, në Përlepnicë.

