E dhimbshme përmbysja tronditëse e Dritës në Bukuresht

 

Deri në minutën e 64-të, Drita udhëhiqte me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë kundër FCSB-së në Bukuresht të Rumanisë. Mirëpo, pas këtij momenti loja mori tatëpjetën dhe gjithçka u kthye mbrapsht, pa një arsye të qartë. Deri atëherë, skuadra gjilanase pati një paraqitje mbresëlënëse dhe shumë të sigurtë. A ishte kjo minuta kur disiplina u thy, ritmi u humb apo ndodhi diçka tjetër që ndikoi në rënien e ekipit? Kjo mbetet një çështje që duhet analizuar me kujdes.

Pas pësimit të golit të parë, Drita duket se u hutua dhe nuk arriti të mbante ritmin e lojës që kishte deri në epërsinë 2:0, një episod jo i këndshëm që duhet shqyrtuar më thellë. Fillimisht, vendasit ngushtuan rezultatin, më pas barazuan, dhe në minutat shtesë shënuan nga pika e bardhë, duke përmbysur gjithçka nga disavantazhi 0:2 në fitore 3:2.

Trajneri Zekirija Ramadani e vlerësoi këtë ndeshje si “një ndeshje të çmendur”. Ai tha:
“Një humbje që dhemb. Jam i kënaqur me mënyrën se si luajtëm deri në minutën e 60-të. Pastaj humbëm përqendrimin dhe pësuam tri gola, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në ndeshjet e fundit. Ne njihemi si një ekip i disiplinuar, sepse shënojmë shumë dhe pranojmë pak. Po presim ndeshjen e kthimit dhe jemi të sigurt se nuk do të pranojmë tri gola, por pa dyshim që mund t’i shënojmë tri gola.”

Pavarësisht humbjes, Drita do të ketë mundësinë të luftojë për përmbysje në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Prishtinë, duke synuar një kualifikim historik në fazën play-off të Europa League.

 

 

Shpërndaj me të tjerët