Vetëm edhe pesë ditë kanë mbetur për të aplikuar në Skemën e Granteve për Zhvillim Rural, e cila mbështet iniciativat e reja dhe zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese në zonat rurale të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, afati i fundit për aplikim është 21 tetor 2025, deri në orën 23:59 (CET).
Aplikuesit mund të zgjedhin një nga dy mënyrat e aplikimit:
- Online, përmes platformës zyrtare: rural-development-kosovo.grantplatform.com
- Fizikisht, duke shkarkuar pakon e aplikimit nga faqja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), ta plotësojnë elektronikisht, ta printojnë dhe ta dorëzojnë në zarf të mbyllur në Drejtorinë Komunale për Bujqësi.
Për më shumë informacione dhe dokumentacion të nevojshëm, aplikuesit mund të vizitojnë faqen: mbpzhr.rks-gov.net/lot1-lot2.
Kjo skemë e granteve po zbatohet në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, dhe në emër të Qeverisë Gjermane, nga GIZ Kosova, në bashkëpunim me D&D Business Support Center.
Qëllimi i programit është nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimi i mundësive të reja për banorët e zonave rurale, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare për bujqit dhe bizneset rurale.

