Eksimori, brendi kosovar që po shkruan histori jashtë kufijve

 

Fillimet modeste dhe sfidat e luftës

Historia e Eksimorit(3 TEX) nis në vitet 1988/89, kur familja Ismaili hapi një shitore të vogël tekstili në rrugën e Tregut të Gjelbër në Gjilan. Me vetëm pesë punëtorë dhe një linjë të thjeshtë prodhimi, ata filluan me batanije dhe pelena njëpërdorimëshe. Fillimi ishte premtues, por lufta e viteve ’90 shkatërroi gjithçka: fabrika u dogj, pasuria u humb dhe puna e familjes u kthye në hi.

Megjithatë, pas luftës, familja nuk u dorëzua. Brenda dy vitesh ata rindërtuan biznesin, këtë herë me kapacitete më të mëdha dhe me vendosmërinë për të ecur përpara.

Nga punëtori i vogël në një korporatë me 300 punëtorë

Eksimori është ndër kompanitë më të mëdha të tekstilit shtëpiak në Kosovë, me mbi 300 punëtorë. Kompania u ofron atyre kushte shembullore pune, ushqim, transport, sigurime shëndetësore e pensionale, madje edhe mbulim të shpenzimeve jashtë vendit për raste shëndetësore që kanë kapur deri në 40 mijë euro.

“Filluam me batanije dhe pelena, ndërsa sot prodhojmë rreth 50 produkte të ndryshme të tekstilit shtëpiak,” thotë Naser Ismaili, njëri nga tre vëllezërit që drejtojnë kompaninë, duke e vazhduar vizionin e babait të tyre.

Eksporte dhe sukses ndërkombëtar

Lëndët e para të Eksimorit vijnë nga Kina, Bangladeshi, Pakistani dhe India, ndërsa produktet e gatshme eksportohen nga Ballkani deri në Turqi, Austri, Gjermani, Itali e Suedi.
“Eksportojmë edhe në Turqi, dhe me çmime më të lira se prodhuesit vendas,” shprehet Naseri me krenari.

Kompania është nderuar me shumë çmime dhe mirënjohje, përfshirë titullin Korporata më e mirë eksportuese në vitin 2024,  dhe më herët është renditur si një nga tatimpaguesit më korrektë në vend. Suksesi i saj bazohet jo në tenderë e donacione, por në prodhim dhe eksport të qëndrueshëm, duke kontribuuar në punësim dhe zhvillim ekonomik.

Kontributi në komunitet

Familja Ismaili është njohur gjithmonë për humanizmin. Para luftës ndihmuan familje në nevojë me produkte tekstili dhe higjienike dhe nevoja tjera; pas luftës, tradita nuk u ndërpre kurrë,  çdo kush që ka trokitur në derën e tyre, është pritur me ndihmë.

Ata kanë mbështetur gjatë turneun tradicional të futbollit “Avdullah Tahiri”, në Malishevë.  Gjatë pandemisë siguruan aparatura oksigjeni për Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe kanë ndihmuar qindra familje në nevojë, pa bërë bujë publike.

Një ambasador i Kosovës në botë

Sot, Eksimori nuk është vetëm një kompani, por një ambasador i Kosovës në botë. Me produktet e tij të pranishme në tregjet ndërkombëtare, kompania ndërthur traditën familjare me profesionalizmin modern, duke u bërë shembull frymëzues për bizneset e reja dhe një histori suksesi që filloi nga një shitore e vogël dhe ka arritur në majat e industrisë së tekstilit, duke u shndërruar në një brend botëror në biznes.

Shpërndaj me të tjerët