Kampioni i shumëfishtë i Kosovës në karate dhe nënkampion ballkanik, Elhami Shabani nga Gjilani, ka marrë licencën ndërkombëtare të trajnerit, duke shënuar një tjetër sukses në karrierën e tij sportive.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shabani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë emocionet dhe krenarinë për këtë arritje të re.
“Me shumë krenari dhe përkushtim ndaj sportit që e dua, dua të ndaj një arritje të re personale dhe profesionale. Jam trajner i klubit të karatesë Emperors në Gjilan dhe trajner i përfaqësueses së Kosovës tek seniorët. Aktualisht ndodhem në Paris, ku mora pjesë me ekipin e përfaqësueses në turneun kualifikues për Kampionatin Botëror dhe njëkohësisht iu nënshtrova testit për licencë ndërkombëtare trajneri. Me kënaqësi njoftoj se e kam kaluar me sukses këtë test, duke hapur kështu një kapitull të ri në karrierën time si trajner me licencë botërore,” ka shkruar ai.
Në fund, Shabani ka falënderuar Federatën e Karatesë së Kosovës për mbështetjen dhe kushtet e krijuara për këtë sukses.
Ky është një tjetër dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të sportistëve gjilanas që po përfaqësojnë me dinjitet Kosovën në arenën ndërkombëtare.
