Sot, më 24 tetor, në moshën 65-vjeçare, është pensionuar Agron Kurtalani, një prej figurave më të njohura të basketbollit në Gjilan.
Edhe pse ligjërisht arrin moshën e pensionit, në fizionomi dhe shpirt mbetet po aq energjik e i ri sa në ditët kur zbriste në parket.
Kurtalani ishte pjesë e KB Mlladost (Gjilani) nga viti 1978 deri më 1987, duke kontribuuar për gati një dekadë si lojtar i rëndësishëm në pozitën e plejmejkerit.
Ai mbahet mend për pasionin, disiplinën dhe rekordin e tij mbresëlënës të 48 pikëve të shënuara në një ndeshje kundër Universitetit të Prishtinës.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, u kthye në fushë si trajner, fillimisht në vitin 1998 te KB Drita, ku do të vazhdonte për shumë vite, duke alternuar rolin e trajnerit dhe ndihmëstrajnerit.
Me përkushtim e modestinë që e karakterizojnë, ai kurrë nuk e refuzoi ftesën për të ndihmuar klubin.

Në vitin 2003, bashkë me të ndjerin Tahir Murati, themeloi shkollën e parë private të basketbollit në Gjilan “Time Out”, ku edukoi me dhjetëra gjenerata të reja basketbollistësh, përfshirë edhe figura të njohura si kryetarin e Komunës, Alban Hyseni.
Gjatë karrierës së tij, Kurtalani ka qenë trajner edhe i ekipeve të femrave të Dritës, si dhe anëtar i Këshillit Profesional të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Përveç sportit, ai ka pasur edhe një karrierë pune të ndershme. nga 1987 deri më 1999 në fabrikën e Baterive të Gjilanit, e më pas për dy vjet në UNMIK.
Sot, në pension, Agron Kurtalani ndjehet i qetë dhe krenar për rrugëtimin e tij, një jetë të tërë kushtuar sportit, disiplinës dhe edukimit të brezave të rinj.


