Është pensionuar Riza Falziu, figurë e respektuar e arsimit në Gjilan

 

Riza Falziu, shef i Inspektoratit të Arsimit në Gjilan, është pensionuar pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar në shërbim të arsimit.

 Ai është ndër themeluesit e Inspektoratit të Arsimit Rajonal në Gjilan pas luftës dhe një nga figurat më me ndikim në zhvillimin e këtij institucioni në Anamoravë.

Përpara se t’i bashkohej Inspektoratit, Falziu ka punuar për shumë vite si arsimtar i artit figurativ dhe drejtues në shkollën “Thimi Mitko”.

Me profesionalizëm e përkushtim të rrallë, ai ka kontribuar në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe në mbështetjen e mësimdhënësve në të gjitha nivelet.

Edhe pse kishte ndjekur studime posdiplomike dhe fituar grada akademike, Riza Falziu mbeti i lidhur ngushtë me Inspektoratin e Arsimit, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të kësaj fushe në rajon.

Me rastin e pensionimit të tij, kolegu dhe bashkëpunëtori i afërt, inspektori Faik Sahiti, e ka uruar përmes një mesazhi të ngrohtë:

“Kontributi juaj i çmuar dhe përkushtimi i palodhshëm në fushën e arsimit, veçanërisht në rolin e shefit të Inspektoratit të Arsimit në Gjilan, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në përmirësimin e cilësisë dhe mbështetjen e mësimdhënësve.
Ju falënderojmë për profesionalizmin, integritetin dhe udhëheqjen e mençur që keni treguar ndër vite.
Urojmë që kjo fazë e re e jetës t’ju sjellë gëzim, paqe dhe shumë vite të lumtura pranë familjes.”

Riza Falziu mbetet shembull i përkushtimit dhe integritetit profesional, duke lënë pas një trashëgimi të vlefshme në arsimin gjilanas.

 

Shpërndaj me të tjerët