Aktori i njohur dhe shumë i dashur shqiptar, Fatmir Spahiu – Bufi, ka reaguar pas eliminimit të Dritës, skuadrës së tij të zemrës, nga Liga e Kampionëve.
“Ishte një ëndërr e bukur kalimi tutje, por ja që nuk u bë realitet,” ka shkruar ai me ndjenjë në rrjetet sociale, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kundër Copenhagen, ku Drita pësoi humbje me rezultat minimal 1:0 (3:0 në total nga dy ndeshjet).
Bufi, si njohës i mirë i futbollit dhe tifoz i zjarrtë, e përjetoi me sportivitet humbjen, duke u treguar gjithashtu solidar me klubin shqiptar Shkëndija, që nesër zhvillon ndeshjen e saj në Bukuresht:
“Nesër Shkëndija luan në Bukuresht. Nga zemra i dëshiroj fitore, për dy arsye:
E para, nuk kisha pasë qejf që Drita të eliminonte Shkëndijën ose e kundërta. Dhe e dyta, do të ishte kënaqësi të shohim një klub tonin që ecën më tutje në Champions League.”
Ai shton me optimizëm dhe unitet:
“Edhe nëse ndodh që të përballen, do të jetë një super mbrëmje shqiptare, në Shkup dhe Prishtinë. Jam i sigurt që mikpritja, në të dyja anët, do të jetë ashtu siç i ka hije vllait.”
“Për nesër: Përpara Shkëndija! ❤️🖤”, përfundon reagimin e tij Bufi, duke treguar edhe një herë përkushtimin ndaj futbollit dhe frymës shqiptare.