Fatmir Spahiu me një reflektim të thellë: “Kemi harruar se ndërkohë po ndodh jeta…”

 

Aktori i njohur shqiptar, Fatmir Spahiu, ka ndarë një postim të ndjerë në profilin e tij në Facebook, ku reflekton për gjendjen e shoqërisë, energjinë negative që na rrethon dhe mungesën e vëmendjes ndaj gjërave të thjeshta që përbëjnë vetë jetën.

 Në shkrimin e tij, Spahiu ndalet tek rutina e përditshme, ku shpesh, siç thotë ai  “harrojmë faktin më të rëndësishëm: se jeta po ndodh ndërkohë që ne merremi me urrejtje e vogëlsi ditore.”

“Përderisa jemi thellë të zhytun në miniurrejtjet ditore që e ngarkojnë edhe frymëmarrjen, harrojmë se ndërkohë po ndodh diçka që quhet JETA…”

“Jeta është fëmijët tu duke u rritë, një sukses personal, një gëzim familjar, fitorja mbi sëmundjen, biseda mes fqinjëve, një thashethem i vogël që nxit një përplasje humoristike tre minutëshe, kësiso gjërash…”

Aktori, me stilin e tij karakteristik, kombinon ironinë dhe ndjeshmërinë njerëzore, duke theksuar se gjuha e urrejtjes dhe politika po e lodhin shoqërinë.

“Sa herë të vjen me sha dikë në Facebook, shko kqyre a i ke fëmijët lutë para gjumit, ose haje një mollë!”,  shkruan Spahiu, me humor të hollë dhe një mesazh të qartë për vetëpërmbajtje.

Në vazhdim, ai sjell një kujtesë të vlefshme nga koha e pajtimit të gjaqeve, si simbol i urtësisë dhe respektit që dikur i karakterizonte shqiptarët,  në kontrast me mënyrën e komunikimit sot, shpesh të ashpër e të pamenduar. Në fund, Spahiu shpreh besim dhe shpresë te brezi i ri, që sipas tij “ka me u ngrit” dhe “ka me e rregullu jo vetëm klasën politike, por edhe mënyrën si e shohim njëri-tjetrin.”

Ju don, Bufadinka.

Burimi: Postimi origjinal i Fatmir Spahiut në Facebook

 

 

Shpërndaj me të tjerët