Drita FC shpallet klubi më i mirë i vitit 2025

 

Çmimi Klubi më i Mirë 2025, i ndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës, i është akorduar Drita FC, për triumfin si kampione e Kosovës, për paraqitjet dinjitoze në Conference League dhe për sigurimin e fazës play-off në këtë garë evropiane, duke dëshmuar nivel të lartë performance dhe konsistencë gjatë gjithë vitit.

Me plot meritë, Drita është përzgjedhur skuadra më e mirë e vitit, pasi gjatë këtij sezoni ka shkruar histori për futbollin kosovar, duke u përballur në arenën ndërkombëtare me skuadra të njohura evropiane dhe duke lënë gjurmë me paraqitje të guximshme e konkurruese.

Suksesi më i madh i Dritës mbetet kualifikimi në fazën play-off të Conference League, një arritje historike që e konfirmon rritjen e vazhdueshme të klubit në aspektin sportiv dhe organizativ.

Në këtë fazë, Drita pritet të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në nivel evropian, ndërsa rrugëtimi i mëtejmë do të varet nga rezultatet e këtyre përballjeve.

Ky vlerësim nga FFK është dëshmi e qartë e punës së palodhur, vizionit afatgjatë dhe përkushtimit të të gjithë klubit, nga drejtuesit, stafi teknik e deri te futbollistët, duke e vendosur FC Dritën në majën e futbollit kosovar për vitin 2025

Shpërndaj me të tjerët