Para ndeshjes së radhës në UEFA Conference League ndaj Rayo Vallecanos, klubi FC DRITA ka mbajtur konferencë për media nga Madridi.
Në këtë konferencë kanë folur kryetrajneri Zekirija Ramadani dhe futbollisti Besnik Krasniqi, duke theksuar motivimin dhe përgatitjet për këtë përballje të rëndësishme.
Trajneri Ramadani ka vlerësuar lart kundërshtarin, duke theksuar forcën dhe intensitetin e skuadrës spanjolle, por njëkohësisht ka shprehur besimin në motivimin e ekipit të tij.
“Kam parë ndeshjet e Vallecanos kundër Real Madridit dhe Barcelonës. Është një ekip shumë i motivuar dhe luftarak në fushë, por nuk mund ta kenë motivin si ne. Ne po përballemi me një skuadër me traditë që luan në La Liga dhe kjo na bën edhe më të motivuar”, u shpreh Ramadani.
Ai shtoi se përvoja e fituar duke luajtur ndeshje çdo tre ditë e ka forcuar ekipin si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik.
“Është hera e parë që si trajner dhe si skuadër po marrim pjesë në fazën e grupeve, duke lënë gjithçka anash. Ky sukses nuk është i rastësishëm. Kemi ardhur për të dhënë maksimumin. Nuk mund të them se kemi ardhur për të fituar patjetër Rayo Vallecanon, por për 90 minuta do të jemi të fokusuar në punën tonë dhe do të isha i kënaqur edhe me një barazim”, tha Ramadani.
Nga ana tjetër, futbollisti Besnik Krasniqi theksoi se edhe pse Rayo Vallecano shihet si favorit, në këtë nivel ka shumë skuadra të forta dhe gjithçka mbetet e hapur.
“Kemi ndeshjen nesër dhe nuk dua t’i jap shumë favorit kundërshtarit. Do ta shohim në fushë”, u shpreh ai.
Krasniqi bëri të ditur se ekipi nuk është i kompletuar për shkak të disa dëmtimeve, ku mungojnë Rron Broja, Vesel Limaj dhe Faton Maloku, por pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme dhe e motivuar për të dhënë maksimumin.
Ndeshja Rayo Vallecano – FC DRITA do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 21:00..

