FFK mban trajnim për integritetin e lojës me kampionin FC Drita

 

Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar serinë e trajnimeve mbi integritetin e lojës, duke zhvilluar sesionin e radhës me klubin kampion të Kosovës, FC Drita.

Qëllimi i këtyre trajnimeve është rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e integritetit në futboll, parandalimi i manipulimeve të ndeshjeve dhe forcimi i standardeve etike në gara. Futbollistët, stafi teknik dhe zyrtarët e klubit bardhekaltër u njohën nga afër me praktikat që garantojnë drejtësinë dhe transparencën në futboll, duke marrë pjesë aktive në këtë proces edukues.

Trajneri i Dritës, Zekiria Ramadani, theksoi se futbollistët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve, sidomos duke pasur parasysh prezencën e lojtarëve të huaj.
Kapiteni Rron Broja u shpreh se trajnime të tilla i ndihmojnë lojtarët të shmangin manipulimet e mundshme, ndërsa portieri Faton Maloku vlerësoi informacionet e reja dhe atraktive që u sollën këtë vit.

FFK njofton se trajnime të ngjashme do të vazhdojnë edhe me klubet tjera të Kosovës, për të siguruar një futboll të pastër dhe në përputhje me parimet e FIFA-s dhe UEFA-s.

 

 

Shpërndaj me të tjerët