Federata e Futbollit e Kosovës zhvilloi sot takimin e radhës me delegatët e ndeshjeve të Superligës dhe Ligës së Parë, para startit të edicionit të ri më 16 gusht.
Të pranishëm ishin kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, administratori i ligave, Agron Shosholli, dhe përgjegjësi i Teknologjisë Informative, Dardan Sadiku.
Në qendër të takimit ishte prezantimi i sistemit të ri dixhital “My FFK”, i cili do të përdoret plotësisht nga sezoni i ardhshëm për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe saktësisë në raportimin e ndeshjeve. Sadiku shpjegoi funksionet, procedurat dhe praktikat e përdorimit të tij përpara dhe pas ndeshjeve.
Pjesë e takimit ishte edhe shefja e Departamentit të Edukimit, Sanije Krasniqi, e cila sqaroi procedurat për licencimin e trajnerëve në këtë sistem.
Ky hap shihet si një avancim i rëndësishëm drejt dixhitalizimit të plotë të proceseve në FFK dhe përmirësimit të komunikimit mes delegatëve, klubeve dhe Federatës.